Secondary Adv

Miratohet ligjin e ri për strehimin, kredi pa interes dhe subvencionim deri në 50 për qind të qirasë

Kuvendi ka miratuar ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, duke zgjeruar programet e mbështetjes për blerjen e banesave dhe përballimin e qirasë.

Ligji parashikon kredi me interes zero për banesa deri në 6 milionë lekë, kredi me interes të subvencionuar prej 3 për qind për banesa deri në 20 milionë lekë dhe mbulim nga shteti të deri 50 për qind të qirasë së pranueshme.


Kuvendi ka miratuar ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, duke zgjeruar mundësitë e mbështetjes financiare për qytetarët që kërkojnë të blejnë një banesë ose të përballojnë kostot e qirasë.


Ligji i miratuar zgjeron nga gjashtë në tetë numrin e programeve të strehimit, duke shtuar instrumente të reja financiare, veçanërisht për të rinjtë, studentët, profesionistët në fillim të karrierës dhe familjet që kanë vështirësi për të siguruar një banesë.


Duke prezantuar ndryshimet në Kuvend, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se reforma synon të krijojë mundësi më të mëdha për strehim të përballueshëm, në kushtet kur çmimet e banesave dhe kostot e qirave janë kthyer në një barrë të konsiderueshme për shumë familje.


Kredi me interes zero, kësti mujor zbret nga 32 mijë në 17 mijë lekë

Një nga risitë kryesore të ligjit është programi i kredive me interes zero për blerjen e banesave me vlerë deri në 6 milionë lekë.

Programi synon të mbështesë të rinjtë, studentët e masterit, profesionistët në fillim të karrierës dhe kategoritë e tjera që plotësojnë kriteret ligjore.

Sipas shembullit të paraqitur nga ministrja Ibrahimaj, për një kredi prej 6 milionë lekësh, me afat shlyerjeje 30 vjet, kësti mujor me interes tregu prej 5 për qind do të ishte rreth 32 mijë lekë.


Me subvencionimin e plotë të interesit nga shteti, kësti zbret në rreth 17 mijë lekë në muaj.

Kjo do të thotë se një familje përfituese mund të kursejë rreth 15 mijë lekë në muaj, ose 180 mijë lekë në vit, krahasuar me një kredi me interes 5 për qind.


Në total, për një periudhë 30-vjeçare, kursimi teorik nga interesat mund të arrijë në rreth 5.4 milionë lekë, nëse norma e krahasimit prej 5 për qind mbetet e pandryshuar gjatë gjithë periudhës.


Kredi me interes 3 për qind për banesa deri në 20 milionë lekë

Përveç kredive me interes zero, ligji parashikon një tjetër instrument mbështetës për blerjen e banesave me vlerë deri në 20 milionë lekë.

Në këtë rast, përfituesit do të kenë mundësi të marrin kredi me interes të lehtësuar prej 3 për qind, ndërsa shteti do të subvencionojë diferencën ndërmjet normës së interesit të tregut dhe nivelit të përcaktuar në program.


Për shembull, nëse një bankë ofron kredi me interes 5 për qind, përfituesi do të paguajë interes 3 për qind, ndërsa diferenca prej dy pikësh përqindjeje do të mbulohet nga shteti, sipas kushteve të programit.


Një tjetër lehtësi lidhet me mundësinë e përdorimit të garancive financiare për kontributin fillestar që kërkojnë bankat gjatë dhënies së kredive hipotekare.


Ky instrument synon të ndihmojë veçanërisht qytetarët që kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar këstet mujore, por nuk disponojnë kursimet e nevojshme për pagesën fillestare të banesës.


Shteti do të subvencionojë deri në 50 për qind të qirasë

Një tjetër program i rëndësishëm është subvencionimi i qirasë për studentët, të rinjtë dhe profesionistët që zhvendosen nga qyteti i tyre për arsye studimi ose punësimi.


Sipas ndryshimeve të miratuara, shteti do të mbulojë deri në 50 për qind të qirasë së pranueshme, në varësi të kritereve të përfitimit dhe vlerave referuese të miratuara nga këshillat bashkiakë.


Kjo do të thotë se subvencioni nuk do të llogaritet domosdoshmërisht mbi çmimin real të çdo kontrate qiraje, por mbi vlerën e pranueshme sipas rregullave të programit.


Për shembull, nëse qiraja e pranueshme për një banesë është 30 mijë lekë në muaj, subvencioni maksimal mund të arrijë në 15 mijë lekë, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga përfituesi.


Masa synon të lehtësojë kostot e jetesës për studentët dhe të rinjtë që zhvendosen drejt qyteteve me mundësi më të mëdha studimi dhe punësimi.


Aplikimet përmes platformës elektronike “Shtëpia jote”

Për administrimin e programit të subvencionimit të qirasë do të përdoret platforma elektronike “Shtëpia jote”, e cila aktualisht është në proces përgatitjeje.


Përmes kësaj platforme, qytetarët do të mund të aplikojnë për mbështetje financiare, të ndjekin ecurinë e aplikimeve dhe të informohen mbi procedurat dhe kriteret e përfitimit.


Njëkohësisht, pronarët e banesave do të kenë mundësi të publikojnë pronat që ofrojnë me qira, duke krijuar një mekanizëm që lidh kërkesën me ofertën për strehim.


Ministrja Ibrahimaj theksoi se objektivi është kalimi drejt aplikimeve plotësisht elektronike dhe shmangia e detyrimit që qytetarët të dorëzojnë dokumente që institucionet shtetërore i disponojnë tashmë.


Qira me të drejtë blerjeje, pagesat mund të njihen si pjesë e çmimit të banesës

Ligji parashikon edhe programin e qirasë me të drejtë blerjeje, një instrument që u mundëson familjeve të kalojnë gradualisht nga statusi i qiramarrësit në atë të pronarit.


Sipas këtij mekanizmi, një pjesë e pagesave të qirasë mund të njihet si kontribut për blerjen e banesës.


Kjo krijon mundësinë që familjet që nuk kanë kapacitet të menjëhershëm financiar për të blerë një pronë të sigurojnë fillimisht strehim me qira dhe, më pas, të kalojnë drejt pronësisë sipas kushteve të programit.


11.5 miliardë lekë nga ndërtuesit rezultojnë të papërdorura në bashki

Një nga elementet më të rëndësishme financiare të reformës është krijimi i Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social.

Ky fond do të grumbullojë burime nga buxheti i shtetit, kontributet e sektorit privat, të ardhurat nga projektet e strehimit dhe burime të tjera të ligjshme.


Në të do të përfshihen edhe kontributet prej 3 për qind për strehimin social, të mbledhura nga bashkitë në kuadër të zhvillimeve të reja ndërtimore.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja Ibrahimaj, aktualisht rreth 11.5 miliardë lekë, ekuivalente me afërsisht 115 milionë euro, nga kontributet e ndërtuesve për strehimin social rezultojnë të papërdorura në llogaritë e bashkive.


Përmes fondit të ri synohet që këto burime të aktivizohen dhe të përdoren për financimin e programeve të strehimit, veçanërisht në zonat ku kërkesa për banesa sociale dhe të përballueshme është më e lartë.


Modeli 30-40-30, banesa sociale dhe të përballueshme në të njëjtat lagje

Ndryshimet ligjore prezantojnë edhe modelin e zhvillimit urban 30-40-30, i cili synon të shmangë krijimin e lagjeve të izoluara sipas nivelit të të ardhurave të banorëve.


Sipas këtij modeli, në projektet ku ai do të zbatohet, 30 për qind e banesave do t'i dedikohen strehimit social, 40 për qind strehimit të përballueshëm dhe 30 për qind tregut të lirë.


Qëllimi është që familjet përfituese të programeve sociale të jetojnë në të njëjtat komunitete me familjet e tjera, duke pasur akses të përbashkët në shkolla, infrastrukturë dhe shërbime publike.


“Ne nuk duam të ndërtojmë lagje në të cilat ka vetëm një kategori njerëzish me një kategori të ardhurash. Ne nuk duam që familjet që përfitojnë nga strehimi social të jetojnë të izoluara”, deklaroi Ibrahimaj.


Krijohet Bordi për Strehimin Social dhe Strehimin e Përballueshëm

Ligji parashikon gjithashtu krijimin e Bordit për Strehimin Social dhe Strehimin e Përballueshëm, si pjesë e strukturës së re institucionale për administrimin e programeve.


Bashkitë do të vijojnë të kenë rol kryesor në identifikimin e familjeve në nevojë, vlerësimin e kërkesave dhe zbatimin e programeve të strehimit.

Ndërkohë, mekanizmat e rinj financiarë dhe digjitalë synojnë të përmirësojnë koordinimin ndërmjet pushtetit qendror, njësive vendore dhe sektorit privat.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat